Sindikata e Punonjësve të Postë-Telekomit Shqiptar ka hyrë në një fazë të re veprimi, pas zhvillimit të një seminari dy-ditor intensiv mbi fushatat e organizimit sindikal, në bashkëpunim me Solidarity Center të konfederatës Amerikane AFL-CIO. Aktiviteti sinjalizon një lëvizje të qartë drejt forcimit të rolit përfaqësues të sindikatës në sektorët postë, telekom dhe call center.
Trajnimi u fokusua në “diagnostikimin” e gjendjes aktuale të sindikatës, nxjerrjen në pah të sfidave kryesore organizative dhe ndërtimin e strategjive konkrete për rritjen e anëtarësisë, veçanërisht në sektorët me presion të lartë pune si call center-at. Diskutimet u përqendruan në metoda moderne të organizimit, angazhimin aktiv të punonjësve dhe mobilizimin e tyre për mbrojtjen e të drejtave në vendin e punës.
Një theks i veçantë iu vendos hartimit të planeve konkrete të veprimit, të cilat synojnë forcimin e strukturave sindikale dhe rritjen e ndikimit në përballjen me problematika të ndjeshme si pagat, oraret, kushtet e punës dhe siguria në punë, veçanërisht në sektorin e call center, ku sfidat janë të vazhdueshme.
Ky seminar shihet si një “pikë kthese” për sindikatën, duke e pajisur atë me mjete praktike për një organizim më agresiv dhe më efektiv. Bashkëpunimi me Solidarity Center dhe AFL-CIO konfirmon mbështetjen ndërkombëtare për fuqizimin e lëvizjes sindikale në Shqipëri dhe ngritjen e standardeve të punës në sektorët strategjikë të ekonomisë.



















